Artisti

Në dritëhijet e Leon Çikës

Mënyra e tij është ajo se si një artist e sheh botën. Në të vërtetë, ai është piktor. I pëlqejnë peizazhet, por të rrëfen se fotografia i ka vjedhur atij mjaft nga koha e pikturës, u ka hyrë në hak telajove, furçave, bojërave….

|

Mes pikturës dhe fotografisë

Ai ka më shumë se 30 vjet që shkon vazhdimisht në Berat. Ai qytet e ka goditur në zemër, që herën e parë të takimit të tyre. Ka qenë nga ato dashuritë e buta që zënë rrënjë, që herë-herë zënë edhe pluhur, porse nuk humbasin kurrë. Ka gjetur atje, në kalanë e Beratit, ca pasthirrma të vjetra të kujtesës, te të cilat është ndalur. Leon Çika ka një jetë që fotografon, por në Berat është një rrugicë, të cilën ai po e lodh. Nuk është historia e “Plakut dhe detit”, por ngjan pak me të. Ajo rrugicë është fotografuar prej tij në çdo kohë: me dritë, me hënë, me shi, me breshër. Ka bërë foto shumë të bukura aty, por ende nuk ka realizuar atë që ka në mendje. Leon Çika nuk është në gjendje të ta shpjegojë atë që po kërkon prej asaj rrugice; ai thjesht ta rrëfen që ti ta kuptosh si të duash këtë detaj. Pret që ajo rrugicë të ndriçohet prej një drite tjetër; është një lloj drite e bardhë, të cilën ai ka pasur fatin dhe fatkeqësinë ta shohë mbi atë rrugicë vetëm një herë. Dhe kjo ndodhi kur ai nuk e kishte aparatin fotografik në dorë. Mënyra e tij është ajo se si një artist e sheh botën. Në të vërtetë, ai është piktor. I pëlqejnë peizazhet, por të rrëfen se fotografia i ka vjedhur atij mjaft nga koha e pikturës, u ka hyrë në hak telajove, furçave, bojërave….

Kur nisa të mendoja për t’i kushtuar një shkrim, e bëra sepse ngado më zënë sytë fotot e tij të mëdha, të cilat Ministria e Kulturës i përdor si një nga format më domethënëse të promovimit të turizmit. Unë po kërkoja prej tij diçka tjetër, në fakt: doja të bëja paralelizmin e dy kohëve të Shqipërisë  – asaj para demokracisë dhe asaj pas. Leon Çika nuk e ka në arkivin e tij këtë ndarje. Sepse në çdo moment ai nuk është marrë me betonin, me ndryshimet e qyteteve apo të rrugëve: është marrë thjesht me peizazhin. Herë-herë, kur puna e lodh, ai merr telajot e arratiset në ndonjë vend tjetër larg Tiranës, për të gjetur qetësi. Në një nga këto udhëtime, atje në lagjen e gurtë të Gjirokastrës, ai bëri fjalë me të zotin e një shtëpie karakteristike. I zoti e kishte kthyer shtëpinë në lokal dhe kështu kishte hequr edhe një portë të vjetër, të cilën Leoni e kishte objektin e tij të preferuar. Pronari, pasi u sigurua se ai nuk ishte ndonjë nga ata të Monumenteve të Kulturës, u qartësua dhe ia ktheu vrazhdë se me pronën e tij bënte çfarë të donte.

Me gjuhën e natyrës

Leon Çika e njeh veten si fotograf të natyrës. Ai e dashuron të vjetrën, mënyrën se si prodhohej fotografia dikur; ndërsa, po të ishte për të, ai do të vazhdonte të punonte me filma dhe me dhomat e dikurshme të larjes së filmit. Nga e shkuara ai kujton shumë gjëra. E para, është një lente sypeshk, të cilën një fotograf nga Berati  ia dhuroi. Leoni e fotografoi Beratin ndryshe, por në fund ia ktheu lentet të zotit, duke i thënë se, “nëse ti do të ma dhuroje këtë lente duke ia ditur vlerën, unë do ta pranoja, por në këtë moment jo”. Po kështu, kur ai filloi punë pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare, në vitin 1981, guxoi të sillte foton ndryshe, sepse peizazhi e tërhiqte, por e tërhiqnin gjithashtu edhe portretet. Ndër portretet ai zgjedh femrën. Kërkon tek ajo gjendjen dhe feminilitetin, ndërsa detajet e tjera para këtyre të dyjave janë dytësore. Fotoja e tij solli një erë ndryshimi në mjediset fotografike të asaj kohe. Kjo lloj fryme lirie e shoqëron gjatë gjithë kohës. Ai vazhdon të fotografojë e të pikturojë krahas punës së tij të përditshme. Ndër fotot e tij të preferuara janë ato që mund t’i cilësojmë pa frikë arratisje. Janë larg zhurmës dhe qyteteve që gëlojnë. Foto që flasin vetë në një komunikim të përjetshëm dhe që nuk do të mbarojnë kurrë: ato mes njeriut dhe natyrës.

Bora zbardhi maleve…

Sivjet, gjurmët e para bora i pati që në fund të tetorit. Bardhësia e saj bie më shumë në sy kur shtron nëpër male,...

“Bukuroshja që nuk fle”, përballë sëmundjes

Rreth një vit më parë 22 vjeçarja Adela Meçanaj veshi taka për herë të parë. Ajo i kishte blerë ato, por kurrë nuk i...

Shenjtëria E Imazhit Të Mirë

Gazetaria ka mbërritur tek unë shumë vite më parë, për t’u bërë pjesë e rëndësishme e jetës sime. Kam dashur t’i ofroj asaj më...

Ish të dënuarat mbeten në “burgun” e paragjykimit

Aishe Pojani mban mbi supe një krim të rëndë, pesha e të cilit ngjan sikur rëndon edhe më shumë...

Femrat “fytyra” e re e policisë

Dea Ricku të sjell në mend, sapo e takon, se do të kishte qenë më e përshtatshme si vajzë...

Dashuria që nuk plaket

Një ditë, një burrë dhe një grua mbi të 75-at, duke ecur ngadalë me çapin e saj, hynë në...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here