Një fletë viti

2011

Do të doja të besoja se rruga jonë e mbarë ka nisur, pavarësisht se kalendari shënon 2011 dhe, pavarësisht se e ardhmja është e panjohur

|

Në kokë kam ato mijëra urime të lexuara përgjatë jetës, në kartolinat e Vitit të Ri, pastaj të dëgjuar në rrugë; e të tjerat, ato që nisen nëpërmjet postës elektronike, dhe ta mbushin adresën e e-mail-it plot me ngjyra dhe kuptime të pafundme gëzimi. Një Vit i Ri, si ky që po vjen, do të mbahet mend mirë. Në fakt, ky Vit i Ri për shqiptarët nuk ka ardhur ashtu si përherë, më 1 janar.

Ky vit ka nisur më 15 dhjetor, në orën 12:01, kur një grua shqiptare, me emrin e spikatur Sheqere, kapërceu kufirin e shoqëruar thjesht me një pasaportë. Quhet biometrike, por jam e sigurt që, pas ca kohësh, kjo fjalë do të arkivohet në kujtesën e shqiptarëve. Ky po, që quhet Viti i Ri! Kohë kur avionët tanë udhëtojnë plot me njerëz, të cilët duan të përshëndeten me botën; njerëz që ca kohë më parë nuk i njihnin hapësirat gjeografike të kontinentit plak.

Është një Vit i Ri i bukur! Kjo lloj atmosfere ndihet në ajër ngado. Është hapi ynë i parë i lirisë. Janë hapa të ngadalta, pas një periudhe të gjatë izolimi, por janë hapa të sigurta. Të formuloj një urim është mbase pak e vështirë, sepse urimi do të duhej të qe më i bukuri i urimeve dhe t’i përfshinte të gjitha. Në një vështirësi të tillë e kam më të lehtë të uroj thjesht: Një vit të suksesshëm për të gjithë! Më ka pëlqyer gjithmonë t’i shoh të gjithë të lumtur.

Është gjë e mirë, kur në fytyra lexon një paqe të ngrohtë, të shoqëruar me besim e me shpresë. Ndaj, realisht, nëpërmjet kësaj reviste, e cila e bredh botën së bashku me ju, e rrasur në ndonjë valixhe, së bashku me revista të linjave të tjera, ju uroj mbarësi të gjithëve! Në bilancin e një viti, me siguri që të gjithë kemi fitoret tona, humbjet tona dhe ato punët e mbetura pezull. Padyshim, jemi një vit më të rritur ose një vit më të vjetër.

Pavarësisht kohës që ikën, rëndësi ka kur ajo që ke jetuar ia ka vlejtur; kur ke realizuar veten dhe ke thithur ajër me gjithë fuqinë tënde; kur e ke parë veten tek ndihesh njeri më i mirë. Prandaj, në ketë Vit të Ri uroj gjithashtu të jeni të lumtur, kur dilni para pasqyrës suaj, kur e shihni veten pa pasur frikë se ai ose ajo që shihni përballë nuk ju pëlqen. Në një atmosferë të tillë, do të doja të besoja se rruga jonë e mbarë ka nisur, pavarësisht se kalendari shënon 2011 dhe, pavarësisht se e ardhmja është e panjohur. Me të gjitha të fshehtat e saj, jam e sigurt që ajo do të jetë shumë më e bukur se ajo që lamë pas…

Rrëfim

Radioja shpërndan muzikë të vjetër dhe mua më duket se kam 100 vjet që jetoj!

Përshtypjet E Një Gruaje Shtatzënë

Lexova diku para disa kohësh se në momentin që një grua merr vendim për të lindur një fëmijë, ajo duhet ta dijë se që...

Të humbësh në Tiranë

Rruga e shkurtër të nxjerr më gjatë, por të jep edhe më shumë mundësi për t’u ndeshur me gjëra, njerëz, etj. Mbrëmë tentova të...

Një Princeshë Që Na Mungonte

Sekreti qëndron te sjellja. Klas ose jo, është e lexueshme nga të gjithë. Ndodh që bëjmë sikur s’e vëmë...

Historia e një vajze 32-vjeçare të infektuar me HIV

Kur imuniteti I trupit të saj ra dhe këputjet filluan të bëhen edhe më të shpeshta, A. J (inicialet...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here