Në fund të letrës së saj të dërguar nëpërmjet e-mail-it, ajo firmos Ema Saval, ndërsa shkruan poshtë “hare”, duke shpjeguar në anglisht se çfarë kuptimi ka kjo fjalë në gjuhën e saj, atë me të cilën e nisi edhe jetën, në shqip. Është Ema Koja, një grua e gjatë, me bukuri natyrale dhe me një mendje të kthjellët. E talentuar! Tani, në fakt, është shumë vonë që të bësh zbulime të tilla, pasi ajo ka vite që e ka shpalosur talentin e saj.
Firma e saj Ema Savahl Design filloi që në vitin 1996. Nëse e pyet se si ka qenë fillimi i saj në këtë rrugë, ajo të përgjigjet: “Është e vështirë të japësh një datë fillimi. Unë u rrita që e vogël rreth tezeve dhe nënës, të cilat ishin modeluese dhe dizenjatore shumë të zonjat, kështu që mund të them se filloi që në fëmijëri”. Ema Koja të thotë se fati nuk ekziston, ai krijohet nga vetë puna jonë. Për të arritur këtu ku është tani, asaj i është dashur të kalojë nëpër shumë shkallë. Ka bërë hapa të vegjël, të cilët e kanë ngjitur nga njëri sukses te tjetri. Dikur ka punuar në Itali, për disa firma të njohura. Më pas ka shkuar në Amerikë, ku punën e saj ajo e ka finalizuar me krijimin e një firme me emrin e saj.
Sot ajo dizenjon për VIP-at. Ka veshur Paris Hillton, Vitoria Becham, Kate Perry dhe shumë të tjerë. Emra të njohur në botën amerikane dhe po aq të njohur edhe në botën e VIP-ave latino-amerikanë. Aty në Amerikë, ku ajo ka zgjedhur të jetojë e të krijojë, ndihet mirë. Ema shprehet se Amerika të jep mundësinë për të krijuar dhe realizuar shumë ëndrra. Gjithashtu, ajo është krenare edhe për shumë shqiptarë që, në një periudhë shumë të shkurtër, janë bërë mjaft të suksesshëm në këtë vend.
Stili Ema Savhal
Ema Koja ka krijuar emrin SAVAHL për etiketën, me shkronjat e para të emrit të nënës, babait dhe vëllait të saj, që janë SAnie, VAngjel, Landi. “Unë jetoj në një qytet turistik, kozmopolitan e me klimë tropikale, me jetë nate shumë aktive e plot ekzibicione arti. Vetë unë mendoj se stili im është një ekspresion i jetës sime në Miami Beach. Veshjet tona janë për okazione speciale, ndaj nuk kemi një grup të caktuar që na preferon; ne stilojmë për çdo moshë dhe për çdo kategori”,- shprehet Ema. Ndërkohë që veshjet e saj kanë gjithashtu emra, ajo kategorizon stilet e ndryshme të dizenjimit, teksa njërin prej tyre e ka quajtur fletur, duke e cilësuar si “flutur” në shqip.
Ema i do detajet e vogla që bëjnë ndryshimin, ndaj do që të ndërfusë një lloj fryme shqiptare edhe në artin e saj. “Unë mendoj se femra që zgjedh veshjet tona kërkon ta shprehë vetveten në mënyrën e saj të veçantë dhe ka mirëbesim e dëshirë të mos jetë pjesë e grumbullit”,- tregon Ema për blerëset e firmës së saj. Po a e ka pasur ajo qëllim në vetvete që të stilojë për VIP-at? Kësaj pyetje ajo i përgjigjet: “Jo, nuk ka qenë preferenca ime të stiloj për VIP-at. Unë mendoj se VIP-at i zgjedhin veshjet tona, sepse janë të veçanta dhe tërheqin shumë vëmendje”. Për ndjesinë që ata kanë, kur një VIP vesh veshjet e firmës së saj, Ema thotë: “E gjithë skuadra Ema Savahl është shumë e kënaqur, kur veshjet tona zgjidhen për okazione speciale dhe për persona specialë”.
Cili është deri më sot momenti më i bukur i karrierës suaj?
Kam pasur shumë momente fantastike në karrierën time dhe vazhdoj të kem. Më i bukuri… ndoshta në fillim fare, kur shita fustanet e para dhe u pagova, ishte momenti më fantastik, sepse kuptova që unë mund të isha bosi i vetes. Kjo më dha një kënaqësi shumë të veçantë.
Keni hapur dyqan, por a do ta hapnit ndonjëherë një të tillë në Shqipëri?
Jam e sigurt, në të ardhmen.
Po koleksioni juaj më i ri, çfarë tematike ka?
Arti i ri që kam krijuar për pranverë/verë 2011 quhet Naiad-a, që do të thotë zanat e ujit ose shtojzovallet. Është një përzierje e kujtimeve të vjetra e nostalgjike, kur isha vajzë e vogël dhe hapja baulen me pajën e hallës të mbushur me dantella veneciane, me botën e fantazisë së shtojzovalleve që jetojnë rreth e qark ujërave të lumejve e pyjeve.
Cilat janë planet për të ardhmen?
Kam plot plane për të ardhmen, por tani për tani plani më i rëndësishëm është rritja e tim biri, Kade, që është 10 vjeç. Jam e sigurt se në të ardhmen, kur Kade të ketë shkuar në universitet, unë do të kem plot kohë dhe dëshirë për t’iu përkushtuar krejtësisht biznesit tim.
Nga aq larg ku jeni, si ju duket Shqipëria? Cilat janë raportet tuaja me vendin ku keni lindur?
Unë jam shumë e lidhur me familjen time, kështu që, në të njëjtën kohë edhe me Shqipërinë. Nëna dhe babai im vijnë çdo vit në Miami për të dimëruar dhe unë shkoj çdo vit për pushime në Evropë, ku e gjithë familja bashkohet. Unë kam një raport shumë të mirë me veten time, ndaj, në të njëjtën mënyrë më pëlqen shumë Shqipëria dhe shqiptarët, si dhe gjithçka që ka të bëjë me prejardhjen time. Shpesh më vjen keq për potencialin e papërdorur të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por unë jam optimiste dhe besoj “se ditë të mira paskëtaj vijnë”.
Po marrëdhënia me familjen? Sa kohë i kushtoni asaj, në krahasim me punën?
Unë jam një nënë shumë e përkushtuar, ashtu siç ishin prindërit e mi kur na rritën ne. Familja ime merr përparësi të padiskutueshme. Vetë unë e kam jetën tepër të organizuar. Nuk kam shumë surpriza në punë. Unë punoj 40 orë në javë dhe pushoj të shtunën e të dielën. Ky ishte një fakt që i bezdiste klientët tonë në fillim, por tani janë mësuar. Udhëtimet, pushimet dhe miqtë, çfarë vendi zënë në jetën tuaj? Unë udhëtoj shumë, qoftë me pushime ose për punë. Jam me fat që kam miq e shokë të mrekullueshëm këtu në Miami dhe rreth e qark nëpër botë. Koha që më mbetet pas familjes, biznesit dhe gjërave personale, është e pakët, kështu që unë e zgjedh shoqërinë me shumë kujdes.
Si filloi suksesi
Pjesa më e rëndësishme e karrierës sime filloi në Miami, në një dyqan antik (vintage) në South Beach, duke punuar për 5 dollarë në orë. Në magazinën e këtij dyqani ishin tri makina qepëse të mbuluara nga pluhuri. Një ditë e pyeta pronarin, nëse mund t’i rimodeloja disa nga rrobat që kishin mbetur aty për një kohë të gjatë e që nuk po shiteshin. Me njohuritë që kisha mbledhur gjatë gjithë këtyre viteve, si dhe me ndjenjën e lirisë e të mirëbesimit që kultura amerikane e lejon për emigrantët, unë, më së fundi, kisha gjetur një pasion tjetër, përveç sportit, ku mund të përqendroja gjithë energjinë e pasionin tim. Çdo gjë që unë krijoja shitej dhe fjala mori dhenë përtej dyqanit. Koleksioni i parë ishin fustane për patina në South Beach.
Pronari më ofroi 20 për qind për dizenjot e mija. Elena Kristensen e shumë modele që popullonin South Beach në kohën e Versaces filluan të frekuentonin dyqanin tonë. Me ndihmën e menaxherit të dyqanit, Derick Jones, që ishte vetëm 20 vjeç në atë kohë dhe që sot është drejtor kreativ te Burberry në Itali, ne organizuam sfilatën e parë të modës. Unë po punoja kaq mirë, sa e pyeta pronarin, nëse mund të merrja në punë një rrobaqepës që të më ndihmonte për të krijuar edhe më shumë. Por unë nuk e dija se si mund të ishe kapitaliste dhe nuk isha në gjendje ta bëja rrobaqepësin që të punonte për mua.
Rrobaqepësi vendosi të bëjë koleksionin e tij dhe, në vend që të kisha ndihmë, unë i gjeta vetes konkurrencë. E pashë këtë situatë si një sinjal se kishte ardhur koha për t’u rritur paksa më shumë. Një ditë, shoku im David Lahner, që më pas u bë bashkëshorti im dhe babai i djalit tim, më pyeti: “A ke provuar t’i shesësh krijimet e tua nëpër dyqanet përreth?”. Tani nuk kisha zgjidhje tjetër, pasi ideja e David dukej si e vetmja zgjidhje. Me një libër të mbushur plot me vizatime dhe me dy fustane në dorë, unë hyra te dyqani që më pëlqente më shumë në South Beach. Aty mora kërkesën e parë për 600 dollarë. Me ndihmën e David, bleva makinën e parë qepëse dhe fillova të prodhoj porosinë.
