Lulzim Perhati

Në Gjurmë Të Së Shkuarës

Të gjitha kostumet janë të qëndisura me fije ari, argjendi dhe me perla lumi

|

Nëse historia tenton të vjetrohet, të zhduket, të harrohet apo gjurmët për ta gjetur bëhen gjithmonë e më të rralla, çdo gjë që vjen prej së shkuarës bëhet gjithmonë e më me vlerë. Vlerat jo gjithmonë janë në pará. Ato janë në kujtesë, në traditë, janë pranë, në motive dhe në koleksione që vlejnë më shumë se një pasuri e tërë.

Lulzim Perhati, ndonëse ishte rritur në një familje me tradita dhe me gjurmë të forta koleksionimi, nuk e kishte menduar që do t’ia përkushtonte jetën koleksionimit të traditës shqiptare, asaj në veshje dhe sidomos asaj në stolitë e grave shqiptare. Në ditët tona, kur femrat magjepsen në një dyqan bizhuterie, pas motiveve të një unaze, duke e shoqëruar magjepsjen me mendimin se kanë blerë diçka të veçantë, në fakt, nuk kanë blerë asgjë më shumë se e njëjta bizhu, në të njëjtin stil me atë që ka përdorur një grua tjetër shqiptare dyqind vite më parë. Lulzim Perhati kishte parë në shtëpinë e tij dhjetëra sahate që i ati i koleksiononte thjesht për qejf, por pas kësaj ai nuk ishte thelluar shumë.

Gjithçka ka nisur në vitin ‘87, kur një fqinji i tij i kërkoi se, nëse mundte, t’i siguronte një kryq katolik, pasi kishin fëmijën sëmurë. Lulzimi nuk do ta besonte që ai kryq do të bëhej shkak për të ndjekur gjurmët e një pasioni që e thërriste prej vitesh. Ndonëse nuk besoja se një kryq mund ta ndryshonte rrjedhën e jetës së një njeriu, ai tregon se u përpoq ta gjente fshehurazi një kryq të tillë. Porositësi i tij, në fakt, i solli dy kryqe, të cilët ai i bleu me dy mijë lekë të vjetra. “Njërin ia dhashë fqinjit hallexhi dhe njërin e mbajta për vete”, – shprehet ai. Kështu filloi gjithçka; në trurin e Lulzim Perhatit u ndezën dritat jeshile, për të nisur një punë që do t’i merrte gjithë kohën e mundshme.

Ai mblodhi kostume tradicionale shqiptare në familjet, të cilat e kishin humbur lavdinë e dikurshme, por që e ruanin ende me fanatizëm traditën. Njërin prej kostumeve ai e ka gjetur te një familje qytetare në Leskovik. Për restaurimin e tij e shoqja ka punuar çdo ditë, gjatë një viti e gjysmë. Të gjitha kostumet janë të qëndisura me fije ari, argjendi dhe me perla lumi. Ato janë të ndryshme nga njëra-tjetra dhe ajo çfarë të përcjellin është e jashtëzakonshme. Ai e filloi këtë punë në vitin 1993. Në vitet 60 kishte koleksionuar, si gjithë të rinjtë, pulla, libra të vjetër, por në vitet 90 ai mendoi se e vetmja fushë e pa eksploruar ishin stolitë. Lulzimi shton se muzeu etnografik ka shumë stoli dhe objekte të tilla me vlerë, por, në ndryshim nga muzeu, ai i ka mbledhur dhe seleksionuar ato sipas krahinave të ndryshme. Kështu ai ka krijuar stendën e stolive të grave të Mirditës, të atyre të Tiranës, të Ersekës, Beratit e me radhë.

Një ndër objektet që të bie më shumë në sy në këto stoli janë unazat me gur gjaku, të gdhendura sipër me simbolin e gjysmëhënës dhe yjet. Për t’i vendosur nëpër korniza tw montuara në baza etnografike, atij i është dashur një punë rreth tre vjet e katër muaj. Lulzimi i ka plotësuar të gjitha deri në detajet më të vogla, duke e ringritur kështu në këmbë edhe njëherë historinë. Ekspozita e tij në Muzeun Kombëtar i ka magjepsur të gjithë. Çdokush që e ka parë punën e tij është kënaqur dhe është habitur me mënyrën se si ai ka arritur t’i realizojë të gjitha.

Koleksionimi të lë gjithmonë të varfër, shprehet ai, ndërkohë që buzëqesh teksa tregon se kur arrin të gjejë objekte të tilla lumturia e tij nuk ka kufij. Në punën e tij tashmë e ndihmon e gjithë familja; bashkëshortja, që dikur s’e kuptonte pasionin e tij, tani e ndihmon për restaurimin e kostumeve popullore ose të objekteve të tjera. Vajza e madhe është pasuesja e tij. Ajo jo vetëm është krenare për koleksionin e të atit, por njëkohësisht ajo një pjesë shumë të madhe të bizhuterive e përdor në jetën e përditshme.

Ky kostum popullor tiranas është blerë në atë kohë me 50 napolona floriri, shumë kjo marramendëse për kohën.

Ndërsa kjo është mbulesa e jorganit të nuses. Është blerë në një familje çame. Ajo është e qëndisur me fije ari dhe ka një simbolikë të pasur. Quhet “Pema e jetës”, sepse pemët e vogla të qëndisura përgjatë gjithë jorganit simbolizojnë jetën, ndërsa në mes është dielli, i cili shpërndan mirësi dhe lule ngado.

Kjo tablo me sahat është një nga punët me interesante të koleksionit. Orët janë kryesisht zvicerane e vetëm ndonjëra tek-tuk është amerikane. Një pjesë e mirë e tyre janë unike. Për herë të parë, Lulzim Perhati, i zënë ngushtë me pyetjen se sa kushton, të përgjigjet pas një hezitimit: 12 mijë euro.

Kjo kornizë ende nuk është plotësuar. Lulzim Perhati po e plotëson atë me stolitë e krahinës së Çamërisë, por do mjaft kohë që ta mbushë me të gjitha objektet e zbukurimit të asaj kohe.

Një Princeshë Që Na Mungonte

Sekreti qëndron te sjellja. Klas ose jo, është e lexueshme nga të gjithë. Ndodh që bëjmë sikur s’e vëmë re gabimin e tjetrit. Mundohemi...

Atëherë kur shtëpitë publike nuk ishin tabu

Dikur dy qytetet e mëdha Tirana dhe Shkodra gëlonin nga shtëpitë publike. Legjenda, faktet dhe e vërteta duket sikur janë fashitur tani rreth 70...

Mediat e minoriteteve

Mediat e minoriteteve deri më sot mund të konsiderohen eksperimentale. Edhe pse pas viteve ’90 minoritetet kanë bërë përpjekje për t’u përfaqësuar me zërin...

Në Paris

Në Paris mund të fillosh të dashurosh nga e para.Edhe ata që të lënduan, edhe ata që i lëndove.Edhe...

Ajo vajzë

Ajo vajzë që flokët i thurte gërshetme erën,e në vend të fjongove varte livando. Nuk është më.As era s’e mori,as...

Kozetat E Vogla

Qershori në Shqipëri nis me një festë, me festën e fëmijëve. Ajo konceptohet si dita kur fëmijët janë "mbretër"...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here