Ditën / Natën

24 Orë Nga Jeta E Stambollit

Zgjimi në mëngjes herët, nuk është diçka që të intrigon shumë. Megjithatë, zilja e telefonit që ke pranë të detyron të çohesh. Fillon një ditë e re larg Tiranës. Qindra kilometra larg, në Stamboll... Ora shënon 07.30. Në Tiranë, në të njëjtën kohë ora është 06.30.

|

Ditën

Mëngjesi në hotel është i këndshëm, atmosfera e restorantit është e ngrohtë e familjare edhe pse të gjithë klientët nuk njihen me njëri-tjetrin e nuk flasin të njëjtën gjuhë. Pulëbardhat, të cilat zor se arrij t’i fotografoj në brigjet shqiptare, qëndrojnë në parvazin e dritares dhe e trokasin sqepin në qelq. Radioja, si për çudi, shpërndan një këngë që e njoh mirë. Është shqip, është zëri i Olta Bokës në këngën “Zemrën e lamë peng”.

Ndjesia është e jashtëzakonshme, ndërsa miku ynë Tollga vjen të na marrë. Qesh paksa nën zë, kur mendoj se ç’kanë dashur të të kujtojnë me proverbin e famshëm “Me të pyetur, gjen Stambollin”. Me siguri jo për ta njohur lehtë këtë qytet kaq të madh, edhe pse taksitë janë të panumërta e tepër të shpejta. Por syri nuk të kap asgjëkund makina të dëmtuara apo “të karambuara” me njëra-tjetrën.

Tollga na tregon mjaft vende që duhet t’i vizitojmë. Së pari, Pallatin Dollmabahce. Aty vdiq Ataturku, njeriu që turqit e adhurojnë si një prej prijësve më të lavdishëm. Më pas mbërrijmë në Bosfor. Ka kreperi pafund dhe lokale ku të shërbejnë ushqimin që quhet kumpira. Deri në momentin kur Tollga më sqaroi se ajo që po shijoja ishte patate, unë besoja se ishte një lloj sufllaqeje e madhe. Pikantja: kjo është shija që të mbetet nga ushqimi turk.

Me 10 euro, për rreth një orë ti mund të shëtisësh nëpër Bosfor, duke parë nga trageti pjesën evropiane dhe atë aziatike. Të ndryshme, të bukura e madhështore pamjet të shfaqen plot harmoni e qetësi para syve. Jahte që quhen Matilda ose Baba Qemal, të ankoruara në breg; pulëbardha që ndjekin tragetin dhe ushqehen me thërrimet që turistët e ngazëlluar ua hedhin në ajër. Nëpër kodrat e shumta syri të sheh flamujt turq që valëviten. Duket se krenaria për vendin e tyre i bën turqit fort të kujdesshëm, deri edhe në detaje. Askush, pasi sheh kaq shumë flamuj, nuk do të mund ta harrojë dot se hëna dhe ylli janë simbolet e flamurit turk.

Taksitë

Nëse në Tiranë, dy muaj më parë, taksitë e verdha dhe shoferët e tyre dolën të protestonin para sheshit “Skënderbej” për të drejtat e tyre dhe konkurrencën e pandershme të taksistëve të palicencuar, në Stamboll kjo nuk ndodh. Nëse jeta aty është e vrullshme, kjo gjë ndodh edhe për shkak të taksistëve. Janë ngado, të shpejtë, të sjellshëm e miqësorë. Edhe pse me 14 milionë banorë, Stambolli nuk çakordohet kurrë. Taksistët të çojnë ku të duash.

Një nga vendet ku duhet të shkojë një turist është Pallati Dollmabahçe, porse edhe një vend tjetër që kurrsesi nuk duhet humbur është Golden Horn, ndërsa janë të domosdoshme për t’u parë Pallati i Topkapisë, kështjella Rumeli, Xhamia Blu dhe Pallati Beylerbeyi. Aty mund të ktheheni pas në kohë dhe të zbrisni në mbretërinë otomane, të cilën e gjeni në mobiliet origjinale të asaj kohe. Pikërisht aty mund të keni fatin të shihnin atë që në përvojat tona ka ardhur nëpërmjet filmave: haremin.

Kur të lodheni nga të gjitha këto, i kërkoni taksistit t’ju shpjerë mbi Urën e Bosforit, që të ndaloni për disa çaste në mes të saj. Pikërisht aty jeni në mes të dy botëve – të Evropës plakë dhe Azisë. Dallimi vihet re: pjesa evropiane është e mbushur me ndërtesa shumëkatëshe, ndërsa ajo aziatike me vila të shumta e mjedise plot gjelbërim.

Sheshi Taksim

Hoteli ynë quhet Marble dhe ndodhet në sheshin Taksim, mu në qendër të Stambollit. Edhe pse është natë, qepenat e dyqaneve aty nuk ulen kurrë. Në shesh çdo mbrëmje ka me mijëra banorë dhe turistë që shëtisin të qetë, duke respektuar të njëjtin drejtim lëvizjeje. Për të rinjtë nuk ka rëndësi nëse bie shi apo është kohë e ftohtë; të jesh në xhiro, kjo është më e rëndësishme.

Dyqanet e veshjeve të këtij sheshi janë të mbushura plot me njerëz. Ka oferta dhe ulje çmimesh. Në përgjithësi, veshjet që bien në sy janë prodhim turk. Malli është cilësor dhe kushton shumë më lirë sesa i njëjti mall në shitoret e Tiranë. Është edhe kjo një arsye më shumë se pse duhet ta vizitosh Stambollin.

Turqia është e njohur si një prej vendeve ku prodhimet e lëkurës janë nga më cilësoret në botë. Çmimet konkurruese i bashkëngjiten edhe këtij fakti. Rrugicat e ngushta që kryqëzohen me sheshin janë të mbushura me kafene të vogla dhe kudo sheh të rinj që të ftojnë ta pish atje kafenë. Mënyra se si ata ngulmojnë të bëhesh pjesë e lokalit të tyre ta prish mendjen, ndonëse shërbimi të zhgënjen disi. Pas 5 ose 10 minutash që je ulur për të shijuar me nge kafenë, një kamerier vjen të ta heqë nga tryeza filxhanin që ende nuk e ke përfunduar. Kjo të irriton paksa, ndërkohë që sheh se në krahun tënd ca të rinj luajnë tavëll pa e prishur aspak terezinë.

Duke e lënë pas…

Kur e lë Stambollin, kupton se sa pak ditë pushime ke pasur për t’i parë të gjitha. Është mëngjes herët dhe dielli sapo ka filluar të lindë. Nëpër rrugë syri hutohet pas ndërtimit plot shije të lulishteve, luleve shumëngjyrëshe në formë spirance, si rrathët e valëve apo të një ore të stërmadhe. Është pranverë në Stamboll… Ka dhjetëra dallëndyshe që fluturojnë nëpër qiellin e përflakur, shumë makina që ecin në drejtime të ndryshme. Ky metropol është një nga qytetet e botës që patjetër duhet parë.

Natën

Jeta e natës fillon vonë dhe zakonisht zgajt deri në orën 5 të mëngjesit. Stambolli të ofron shumë vende argëtimi. Më i njohuri prej tyre quhet Supperclub. Dj-të dhe muzikantët janë të përzgjedhur nga arti dhe teatri profesional. Mos harroni, nëse e keni tepruar me ushqimin, me ëmbëlsirat me sherbet, më maninë për t’i provuar të gjitha, porositnin një gotë të madhe me lëng shege; ajo jua stabilizon sakaq stomakun. Ndaj jo më kot turqit nuk heqin dorë prej saj, edhe pse koha e shegëve ka muaj të tërë që ka mbaruar.

Kafe e paguar

Ndonjëherë, në mëngjeset e hershme, pi diku një kafe. Në fillim kisha fiksuar një zoteri në moshë, të gjatë si jatagan dhe me fytyrë...

Në fluturim me Majlën

Padyshim, disa njerëz të mbeten gjatë në mendje. Ndonjëherë për sjelljen e tyre, ndonjëherë për ndonjë tipar të veçantë në portret, ndonjëherë për gjestet...

Letrat

Kam lexuar çdo letër që nuk ma ke dërguar kurrë...

Pse Burrat Dhunojnë Gratë. Historia E Njërës Prej Tyre

B.L. është 31 vjeç. 10 vitet e fundit të jetës nuk kanë qënë aspak si i kishte ëndërruar. Ajo...

Puna e papaguar e gruas në realitetin shqipar

Puna e papaguar e gruas në realitetin shqiparNë mentalitetin shqiptar, femrës i takon të bëjë gjithë punët e shtëpisë...

“Bukuroshja që nuk fle”, përballë sëmundjes

Rreth një vit më parë 22 vjeçarja Adela Meçanaj veshi taka për herë të parë. Ajo i kishte blerë...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here