Puna e papaguar e gruas në realitetin shqipar
Në mentalitetin shqiptar, femrës i takon të bëjë gjithë punët e shtëpisë dhe puna për të cilën merr rrogë, nëse ka një të tillë. Ky lloj mentaliteti që na shoqëron në shekuj sjell kontradikta në ditët tona, sepse, sidomos për brezin e ri, puna e papaguar brenda shtëpisë tentohet të ndahet në mënyrë të barabartë, gjë jo fort e pëlqyer nga meshkujt, të cilët janë rritur me një mentalitet tjetër, në të cilin ajo që lan, pastron, gatuan, hekuros është nëna ose motra, dhe pse jo, tani edhe partnerja, të mos ndjek të njëjtin model.
Një studim i bërë në Angli disa vite më parë arriti në përfundimin që puna e papaguar e gruas kap vlerën e 18 mijë paund në vit, ku përfshihen gjithë punët, por përjashtohet rritja e fëmijëve. I njëjti studim, kur përfshiu në analizë edhe rritjen e fëmijëve, arriti në përfundimin që një femër do duhej të paguhej 24 mijë paund në vit.
Raporti i gruas me punët e shtëpisë në Shqipëri është i lidhur ngushtësisht. BIRN pyeti sesi qëndron raporti i meshkujve dhe femrave me punët e shtëpisë; INSTAT na ofroi këto të dhëna: “95% e femrave të moshës 15-64 vjeç, dhe vetëm 39% e meshkujve 15-64 vjeç janë të përfshirë në punët e shtëpisë, kujdesin për fëmijët, përgatitjen e ushqimit, blerjet dhe aktivitete të tjera të lidhura me punën e papaguar gjatë ditëve të javës. I njëjti model sjelljeje vihet re edhe për ditët e fundjavës.”
Për ta parë më nga afër situatën e punës së papaguar të femrës, ne udhëtuam deri në Malësi të Madhe. Në Kelmend, në fshatrat Lepushë dhe Vermosh, gratë i gjen të buzëqeshura të gjitha. Janë të qeta, kanë një buzëqeshje mirësie në fytyrë, buzëqeshje që nuk u ikën as kur lodhen shumë, as kur dita u kalon mes punëve. Edhe pse je në skajin më verior të kufirit të Shqipërisë dhe banorët me të qeshur shprehen se jetojnë aty ku varet harta, ata nuk përcjellin asgjë nga fryma e vrazhdë me të cilën i lidhin në kryeqytet sa herë që ndodh një vrasje apo diçka e papëlqyer.
Banorët e krahinës së Kelmendit janë të urtë, të dashur dhe bujar, ndoshta për shkak të këtyre tipareve. Krahina quhet Kelmend, një emër që vjen nga latinishtja “klemes” dhe do të thotë pikërisht i urtë, i ditur, i dashur. Gratë të gjitha mbajnë në kokë shami të bardhë; ato nuk kanë balluket e tyre tradicionale kur janë në shtëpi. I gjen të gjitha duke punuar. Kur i pyet burrat e tyre për punën e papaguar të gruas, ata shprehen se është e vërtetë që grave u takon të lodhen më shumë. Fjala “u takon” ka kuptimin, u ka rënë për pjesë. Nëse u kërkon që kjo gjë të ndryshojë, burrat shprehen se do të donin të ndryshonin, por ajo që i pengon është guximi: kush do ta bëjë këtë hap së pari.
Ky diskutim u hap pasi në një nga familjet ku bujtëm, na vunë një video të dasmës së vajzës së tyre. Video ishte shumë shqetësuese për mua dhe i kërkova që ta hiqnin, sepse më dukej çnjerëzore që vajza e tyre të dilte nga shtëpia e përkulur pothuaj deri në tokë. I ati mu përgjigj që as atij nuk i pëlqente kjo gjë, por kështu martohen gjithë vajzat, dhe ky është një ritual. Ai do donte ta ndryshonte, por nuk donte të ishte ai i pari. Përkulja deri në tokë e femrës jepte në sytë e mi diçka prej kafshe, pa dinjitet, pa asnjë vlerë. Ajo nuk dilte nga dera në mënyrë natyrale, plot emocione të dhimbshme, por dinjitoze; dilte si dikush që po bënte një turp të madh dhe për këtë duhej të sillte veten si e nënshtruar.
Gjystina Grishaj nga fshati Lepushë shprehet se ato e fillojnë punën në orën 7 të mëngjesit dhe punojnë deri në 12 të drekës; pastaj e lëmë deri në dy dhe pas kësaj rifillojnë përsëri deri në 11 ose 12 të mesnatës. Ajo shprehet se punë kanë për çdo ditë. Dita e tyre është e ndarë në punët e shtëpisë, të bujqësisë dhe të blegtorisë. Ditën që ne folëm me të dhe familjen e saj, gjithë familja ishte mobilizuar në mbledhjen e sanës për dimër. Punë kjo tepër e mundimshme, por vështirësia më e madhe qëndron se nuk ka mundësi të gjejnë punëtorë që t’i ndihmojnë. Djemtë e rinj të zonës së Kelmendit kanë emigruar pothuaj të gjithë në Amerikë. Ata kishin mundur të gjenin një djalë të ri nga një fshat i largët që punonte bashkë me ta. Gjystina shprehet se vetëm mjelja e lopëve (në familjen e tyre ka tre lopë) kërkon një orë e 10 minuta për t’u mjelë. Këto punë i bën nusja e shtëpisë, sepse Gjystina, që njihet edhe si burrneshë në atë zonë, bën punët jashtë shtëpisë, ndihmon të vëllain të bëjë llaç, shet produkte të bëra me bimë që gjenden në mal, si reçel boronice, raki boronice, raki me rrënjë genciane, komposto thane e të tjera. Gjystina Grishaj ka të vetmin dyqan që shet produkte për turistët aty. Ajo e ka nisur me një libër me bimë popullorë që ia ka lënë babai dhe ajo tani njeh mbi 2000 bimë dhe bën produkte kurative për gjithë fshatin. Ajo është fanatike dhe i pëlqen tradita, jeton në harmoni me familjen e saj bashkë me të vëllain, nusen e tij dhe fëmijët.
Marjana Vukdedaj punët e fshatit i nis që në 6 të mëngjesit, me mjeljen e lopës, me kullimin dhe ndarjen e qumështit në pjesë, sepse me të bën djathë ose mishavinë. Pastaj dita e punës vazhdon me punët e shtëpisë, të cilat dyfishohen kur ka turistë, sepse përfshihet edhe pritja e tyre, pastrimi i dhomave, gatimi për ta. Punët jashtë shtëpisë, ku përfshihen punët e bujqësisë, i ndajnë me burrat. Ata mbjellin patate, misër, kastravec, bëjnë reçelra dardhe, molle, qershie.
Marjana shprehet se puna e saj mbaron në orën 10 të darkës. Nata e saj është një gjumë pa ndjenja pas një dite që ka zgjatur 14 deri në 15 orë në këmbë. E njëjta situatë është për çdo femër të intervistuar në këto fshatra. Në shtëpinë e pritjes që gjithë Vermoshi e njihte tek Vaseli ose “Qershia”, jetonin vetëm të dy, burrë dhe grua në moshë, por u nevojitej ndihmë për të administruar biznesin, sepse shtëpia ka kapacitet për të pritur deri në 10 persona.

Në Kelmend duhet të kalosh nëpërmjet një rruge piktoreske dhe të shtruar deri në Tamarë; pas kësaj fillon ferri. Rruga është e ngushtë dhe e shkatërruar, por është ende në rikonstruksion. Deri në Selcë ajo ka marrë një lloj forme si rrugë; pas kësaj nuk mund të konsiderohet e tillë. Sivjet, pas vrasjes që ndodhi në fshatin Prekal, banorët ankohen se u është bërë një dëm i madh dhe turistët janë tërhequr. Në dy ditë në të dy fshatrat ne gjetëm vetëm në Lepushë tre meshkuj kosovarë që kishin ardhur për të pushuar disa ditë, ndërsa në Selcë takuam në ikje një grup me më shumë se 20 motorristë polakë që kishin kaluar natën në një luginë midis Selcës dhe Lepushës. Në fakt, ndoshta ajo që ka pakësuar turistët në këto zona nuk ka shumë të bëjë me reklamën e keqe, sepse në të njëjtën kohë fshati Theth, që shtrihet matanë bjeshkëve të Nëmura dhe është 9 orë në këmbë nga Lepusha, është plot me turistë; por më shumë ka të bëjë me mungesën e organizimit dhe një publicitet zero për mrekullitë që ofrojnë këto male.
Zona është e mrekullueshme dhe e begatë. Ka ujra gjithandej, por nuk ka shumë njerëz për t’u kujdesur për tokat. Banorët kanë një marrëveshje të heshtur me njëri-tjetrin për natën e pritjes në shtëpitë e tyre. Nata shkon 25 euro, ku përfshihen fjetja, mëngjesi, dreka dhe darka. Çmim që jo të gjithë e respektojnë, shprehet Florida, një vajzë e re që ka marrë përsipër administrimin e një hoteli në Vermosh.

Banorët e bëjnë këtë për të pasur turistë, por terreni pothuaj i pamundur i mban larg turistët. Në shtëpinë e Marjanës gjetëm një grup turistësh nga Kosova, të cilët, për të shkuar deri në Vermosh, ishin detyruar të kalonin nga Plava, pasi shteti malazez jo vetëm që ka shtruar rrugën, por e ka çuar asfaltin deri në qendër të fshatit Vermosh, që nga dogana malazeze, 10 minuta larg fshatit.
E vërteta është se po të zgjedhësh për të shkuar për pushime në Vermosh duke kaluar nga Mali i Zi, do humbasësh gjithë bukuritë e atyre zonave si Leqet e Hotit, Selcën, Lepushën dhe ato qindra peizazhe të mrekullueshme kanionesh, luginash, horizontesh dhe shtëpish.
Një tjetër gjë që të bie në sy në atë zonë është se në çdo shtëpi gjen simbolin kombëtar, flamurin me shkabë ose shkabë të gdhendur në dru e të varura në mur. Kaq ka prej shtetit në atë zonë, se gjurmët e tjera të tij janë pothuaj të padukshme. Investimet janë zero. Disa nga banorët e Vermoshit kanë ndërtuar gjeneratorë me ujë dhe e përdorin në rastet kur dritat mungojnë. Atje dritat mungojnë, dimër-verë, jo rrallë.
Edhe kur ne shkuam, as në Lepushë, as në Vermosh nuk kishte drita. Ishin prerë rreth tre orë para se të mbërrinim atje. Banorët kur duan të bëjnë një krahasim për kujdesin e shtetit paralelizojnë dy realitete. Dimrin që shkoi, për shkak të borës së madhe, u prish rrjeti elektrik si në Shqipëri dhe në Mal të Zi, por ndërkohë që banorët e Plavës ndenjën pa drita 10 ditë, ata të Vermoshit ndenjën 2 muaj.
Zona në të vërtetë është një thesar, por banorët kanë zgjedhur të ikin larg. Në shtëpinë ku bujtëm natën e parë në Vermosh, familja e Nikollë Hysaj i kishte të tre fëmijët në Amerikë. Mungesë tjetër e shtetit aty është edhe rrjeti i telefonisë celulare. Shumica e banorëve përdorin numra malazez, por edhe numra shqiptarë, pasi kanë blerë antena për të shfrytëzuar internetin. Secili prej tyre ka Viber dhe Skype, një mënyrë kjo për t’u lidhur me fëmijët e tyre në çdo kohë.
Emigrimi i kelmendasve drejt Amerikës është ilegal dhe mjaft i kushtueshëm. Ata shpenzonin 25 mijë dollarë deri para disa muajsh; tani çmimi ka shkuar 30 mijë dollarë për të hyrë në mënyrë ilegale nëpërmjet Meksikës në Amerikë. Amerika për ta është parajsa, kurse Shqipëria, fatkeqësisht, në mënyrë të heshtur mbetet ferri.
