Flet nipi

E kishim xhaxha, i flisnim hallë

|

Tre ditë më parë, rreth mesditës një makinë “fluturonte” drejt qytetit të Vlorës, nisur nga fshati Skrofotinë. Nipi i Vangjeli Llambros, e dërgonte hallën e sëmurë në spital. Megjithë përpjekjet gruaja vdiq. Nipi i çakorduar nga vdekja e saj, e la për disa orë në morgun e spitalit dhe shkoi të lajmëronte të afërmit e tjerë.
Ky ishte gabimi i Arben Llambros. Dikush zbuloi se gruaja e vdekur në të vërtetë ishte një burrë. Kishte organe gjenitale mashkullore, ishte e mbuluar me qime në kraharor. Vetëm fytyra ishte e pastruar mirë prej tyre dhe pjesa e poshtme e këmbëve, e cila dukej prej fustanit. Dhe lajmi mori dhenë. Për familjarët tashmë kjo nuk ishte më një gjë e re. Ata e dinin prej disa kohësh sekretin e hallës (xhaxhait) të tyre.

50 vjet më parë

“Nuk donte të shkonte ushtar, askush nuk e di pse. Babai thoshte se ashtu iu fiksua. Pasi u kontrollua nga mjeku, ata e lejuan të mos shkonte në ushtri”, tregon Arbeni. Nga të vjetrit e shtëpisë vëllezër dhe motra të Vangjelit-(së) janë edhe dy gjallë. Por në varrimin e saj motra e madhe ju ka thënë nipërve se nuk e ka ditur kurrë që ajo ishte burrë. Po kështu edhe xhaxhai. Megjithëse familjarët e kujtojnë mirë atë histori, pasi Vangjeli-(a) ishte më e vogla, ata kanë vendosur të marrin me vete në varr të vërtetën. Ishte xhelozia ajo që e sëmuri, sipas familjarëve. “Nuk duronte dot kur flitej mirë për një femër të bukur, bëhej xheloze dhe ndihej keq”, kështu tregojnë të afërmit. Sipas historive të familjarëve më të vjetër thuhet se Vangjeli-(a) ishte një mashkull shumë i bukur me fytyrë të bardhë, sy të kaltër, dhe kaçurrela të gjata e të zeza. Vishej me kominoshe të modës për atë kohë, pastaj pas “rebelimit” anti-ushtri dhe vizitës tek mjeku u vesh me fustan. Edhe vetë vëllezërit dhe motrat u mësuan me “ngulimin” e tij për të qenë një grua, ndërkohë që të gjithë vetë i drejtoheshin në formën mashkullore. Pas kthimit të “identitetit” ajo nuk rrinte dot më në fshatin ku ishte e zbuluar kundrejt thashethemeve. Iku. Në Mifol ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së “Tij” prej gruaje. “Punonte në fermë, pasi ishte shumë më e fuqishme se një femër, merrte edhe më shumë para”, tregon Arbeni. Kur ferma u shkatërrua ajo u rikthye përsëri në fshatin Skrofotinë. Familjarët u kujdesën që t’i krijonin një ndarje dhome të veçantë që të ishte sa më qetë.

Kurioziteti

Vjehrri im thoshte gjithmonë se po na linte mbrapa një barrë të rëndë. Në fillim më thoshte që të mos e mbaja shumë afër, pasi ajo ishte e sëmurë dhe kur të lindja fëmijë mund t’u bënte një gjë të keqe, po asgjë e tillë nuk ndodhi”, tregon Lida. Kurioziteti për të vërtetën e “gruas” që dinte të gatuante, të bënte punët e shtëpisë më mirë se kushdo tjetër dhe maniakëria e saj për të pastruar me imtësi gjithçka e ka shoqëruar gjithmonë edhe nusen e shtëpisë. Mëdyshja mes thashethemeve të ndryshme ka marrë fund një vit e gjysëm më parë kur ajo u sëmur. I nipi Arbeni u kujdes për të dhe pas një kurimi në spital, Vangjeli-(a) u rikthye në shtëpi. E vërteta ishte zbuluar. Jo vetëm për mjekët dhe infermierët, por edhe për njerëzit e shtëpisë. Vangjeli-(a) u kthye në shtëpi me mjekër, me qime të gjata në këmbë. “U mbyll në dhomë dhe filloi nga pastrimi i fytyrës dhe i trupit. Desh zoti vdiq lehtësisht dhe nuk u përpëlit nga sëmundjet se të gjithë do ta kishin parë mjekrën prej burri”, thotë Lida. Tendencat e tij (saj) homoseksuale për familjarët kanë qenë të dallueshme. Edhe në telenovelat ai (ajo) ishte e dashuruar pas meshkujve. Megjithatë askush prej tyre nuk di të thotë nëse ai (ajo) ka pasur ndonjë raport dashurie me meshkuj të fshatit apo të tjerë. Një gjë thonë se e dinë të sigurt, ishte xhelozia për një dashuri të pamundur ajo që çrregulloi hormonet mashkullore tek Vangjeli-(a).

E vizituan te një mjek rus dhe të nesërmen u “bë” grua

“Unë nuk shkoj në ushtri dhe pikë!” Kjo fjali e thënë me vendosmëri nga Vangjeli 18-vjeçar i detyroi familjarët ta vizitonin tek një mjek specialist. Vëllai më i madh e mori me vete dhe shkoi në Vlorë. Një mjek rus, ishte njeriu që vulosi përfundimisht që Vangjeli të mos shkonte në ushtri. Nuk është i aftë. Eshtë i sëmurë. Lëreni ta zgjedhë vetë jetën e tij, por kujdesuni. Ka nevojë për ngrohtësi, qetësi dhe ambient të veçantë”, kështu iu drejtua mjeku të vëllait të Vangjelisë, babait të Arbenit. Dhe porositë e mjekut rus u plotësuan të gjitha. Askush nuk e di çfarë ndodhi në të vërtetë në dhomën e vogël të vizitave, çfarë i tha Vangjeli mjekut dhe e kundërta. Një gjë dihet me saktësi, një ditë pas kësaj vizite Vangjeli-(a) u gdhi me fustan, me shami në kokë dhe gjithçka femërore. Familjarët i krijuan fillimisht një dhomë të vogël më vete gjithë familjes. Por gruaja (burrë) nuk pati kurrsesi sjellje agresive dhe familjarët e pranuan lehtësisht brenda dhomave të shtëpisë.
 


“Ajo është kujdesur shumë për këtë shtëpi, ne do t’ia kemi borxh gjithë jetën”, shprehet djali i vëllait të Vangjelit, Arbeni. Edhe pse ka mbi një vit e gjysmë që nipi i Vangjelit e ka mësuar të vërtetën e kulluar, jo më nëpërmjet thashethemeve apo gojëdhënave, ai vazhdon ta thërrasë xhaxhain e tij të vdekur tre ditë më parë njësoj si e ka thirrur gjithë jetën: hallë.

Familjarët

Familjarët e kanë ruajtur mrekullisht sekretin e burrit që për 50 vjet është veshur si grua, ka jetuar si grua, ka dashuruar si grua… Madje shumë prej tyre nuk e kanë ditur kurrë të vërtetën e saktë. Thashethemet e fshatit Skrofotinë, me kalimin e dekadave, janë zbehur, transformuar dhe aktualisht shumica e banorëve kanë ditur një variant tjetër: se Vangjelia ka pasur dy lloj organesh gjenitale. “Jo, kjo s’është e vërtetë, ishte vetëm mashkull”, shprehet Arbeni.

Ai nuk e harron dot përballjen e tij të parë me këtë lloj të vërtete. Ka qenë viti 2000, kur problemet e shëndetit të Vangjelit u shtuan. Në atë kohë nipi, Arbeni, e ka dërguar për herë të parë në spital. Gjatë zhveshjes dhe vendosjes së serumeve ai ka parë se gruaja 65-vjeçare nuk ishte e tillë. Si të gjithë nipërit dhe mbesat e Vangjelit, edhe ai është befasuar nga e vërteta. Pavarësisht kësaj, nuk e ka dhënë veten në sytë e hallës (xhaxhait) deri ditën që ajo (ai) vdiq. Askush prej pjesëtarëve të familjes nuk e ka marrë guximin ta pyesë, ndërsa gruaja-burrë ka qenë në paqe gjithmonë me ta, si e vetmja formë falënderimi.

“Po, ka shumë që në fshat e dinë të vërtetën. Kur ka qenë fëmijë, edhe ajo ka luajtur cingli apo lojëra të tjera me ta”, thotë Arbeni. Dhe në fakt kjo është e dukshme. Që në hyrje të fshatit të tregojnë ku ndodhet shtëpia e të vdekurit. “Ku është shtëpia e atij burrit Vangjelisë?”, pyetëm kur hymë në rrugën e fshatit. Megjithëse e drejtuam pyetjen gabim, adresa na u dha e saktë dhe pa asnjë lloj habie nga banorët.

Banorët

Vangjelia nuk e ka dashur kurrë fshatin ku vdiq. Ajo (ai) ka ardhur aty fëmijë; aty ka jetuar deri në moshën 18 vjeç, kur një ditë u shfaq para banorëve dhe bashkëmoshatarëve të tyre e veshur me fustan. Pas kësaj u largua për disa kohë në fermë. Kryesisht ashtu i ka shkuar jeta. Endej sa nga një fshat në tjetrin në këmbim të qetësisë shpirtërore dhe sekretit të madh të jetës së saj.

Por, megjithëse banorët e vjetër të fshatit e kujtojnë mjaft mirë historinë, askush nuk i ka rënë në sy. Ata që e ngacmonin më shumë ishin të ardhurit nga vende të tjera. Gjatë jetës së saj (tij) ka shërbyer si vajtocë nëpër vdekjet e banorëve të fshatit. Sipas bashkëfshatarëve, ka qenë e dukshme ndjenja e tij (saj) kundrejt burrave të bukur. “Mjafton të shikonte një burrë të bukur dhe dallohej qartë ndriçimi i syve tek ai (ajo)”, shprehet njëri prej banorëve më të vjetër.

Punonte çorape për familjarët

Në shtëpi ka ende punë dore të Vangjelit: bluza leshi, çorape leshi dhe mjaft gjëra të tjera. Familjarët tregojnë se asnjëherë nuk i hoqi punët e dorës nga vetja. Shkonte me lopë dhe në duar mbante shtizat. “Ja aty, në sirtarin e divanit, ka çorape të bëra nga ajo”, tregon Lida.

Janë çorape të gjata që ajo i ekspozon, duke shtuar se kishte edhe një karakteristikë të saj në këto punë. Çorapet nuk i punonte si të gjitha gratë, duke nisur nga gishtat për të përfunduar në pjesën e pulpës; përkundrazi, i niste nga fundi. Ndërkohë që një pjesë e mirë e veshjeve që ajo ka përdorur do të hidhen, pasi për familjarët janë të përdorura, çorapet do të vishen nga familjarët edhe këtë dimër…

Gjithë jetën punoi si rritëse lopësh

Familjarët shprehen se profesioni i Vangjelit ishte të merrej me rritjen e lopëve. Në shtëpinë e tij (saj) vazhdon të ketë një lopë dhe një viç. Gruaja-burrë e mbante këtë të fundit që ta therte në dasmën e nipit të vogël. Ajo vdiq para se të plotësonte amanetin e të vëllait për të martuar të nipin.

Familjarët shprehen se bagëtitë i ruante vetë dhe qumështin e shpërndante nëpër familjet e nipërve që ndodhen në fshat. Në kuzhinën ku gatuante ndodhen ende tenxheret e qumështit. Mbi oxhakun e vjetër gjendet një shishe vaji e përgjysmuar. Gjithçka ka pamje të pastër dhe të kujdesshme, shenjë e një dore që kurrë s’e ka braktisur punën.

Humbi medalionin që do ta bënte burrë

Vangjelia ka pasur një xhaxha që njerëzit e thërrisnin Dhaskal. Ai, sipas familjarëve, ka qenë njeri me shkollë dhe e ka “shëruar” njëherë nga mania e të qenit grua. “Pasi foli me të, ai i bëri një medalion prej floriri dhe ia dha ta mbante me vete në qafë. Kur mori medalionin, ajo u kthye përsëri në burrë dhe u vesh si burrë, por medalionin ia vodhën”, tregon Arbeni. Familjarët janë bestytë kundrejt këtij fakti dhe besojnë se nëse medalioni nuk do të kishte humbur, Vangjelia nuk do të ‘detyrohej’ të jetonte 50 vjet si grua.

Pyetja e vetme për gjininë

Vetëm një herë një grua mori guximin ta pyeste Vangjelinë për të fshehtën e madhe. Ishte një bisedë mes grash kur Vangjelia hidhet e thotë: “Po lërini këto muhabete”. Milica, infermierja e fshatit, i drejtohet duke i thënë: “Po ti çfarë je në të vërtetë, pse nuk na e thua?””E pamë që u trondit shumë nga kjo pyetje. U zverdh, filluan t’i dridheshin gishtat dhe nuk foli fare”, tregon e zonja e shtëpisë, Lida. Pas kësaj pyetjeje mëse të guximshme, askush nuk tentoi më të zbulonte të vërtetën e vjetër. Vazhduan të përflisnin se ishte një burrë, ndonëse në grykë nuk i dukej ajo që të gjithë e njohin si molla e Adamit. Kurioziteti për ta parë si ishte në të vërtetë mbaroi tre ditë më parë. Një baluke që ajo e nxirrte prej shamisë për të krijuar idenë e flokëve ishte e vetmja cullufe që i kishte mbetur në kokë. Flokët i kishin rënë të gjithë për shkak të shamisë. Kur gratë e lanë për ta futur në arkivol u kujtuan se disa vjet më parë kishin larë edhe një njeri tjetër që i ngjante tmerrësisht në trup dhe pamje, të vëllain e tij (saj), babain e Arbenit…




 


Dhuna E Heshtur

Edhe pse vë buzën në gaz sa herë që kujtoj rrëfimin e një shoqes sime për një vogëlushe e cila "vidhte" në mënyrë konstante...

Në këtë kohë të vitit

Në këtë kohë të vitit,kërkoj gjithmonë një këngëqë më flet me zë shpirti,premtime dashurie. Në këtë stinë, çdo re në qiellka nga një mesazh të...

Femrat “fytyra” e re e policisë

Dea Ricku të sjell në mend, sapo e takon, se do të kishte qenë më e përshtatshme si vajzë pasarelash dhe jo si police....

Shishtaveci I skive, atje ku turizmi malor pret turistët

Shishtaveci është vetëm 27 kilometër larg qytetit të Kukësit, por për të arritur atje të duhet më shumë se...

Femrat “fytyra” e re e policisë

Dea Ricku të sjell në mend, sapo e takon, se do të kishte qenë më e përshtatshme si vajzë...

Reflektime Mbi Miqtë

Në Japoni - më tregoi pak kohë më parë një mikja ime - në muajin maj kremtohet festa e...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here